Asdren Ademi, punëtor i TrainKos, në një intervistë dhënë VOX Kosovës, tregoi për ndëshkimin ndaj tij për një koment në Facebook ku zbuloi skandalin e dërgimit të vagonëve të trenave të Kosovës për riparim në Serbi. Ai akuzon Kryeshefin e Trainkos, Agron Statovci, për ndërmarrjen e veprimeve kundër tij kundrejt vetëm një komenti në rrjete sociale.
“…përndryshe unë jam nip i një dëshmorit, heroit të Kosovës. Dhe jam djali i një veteranit. Edhe kur e kam cekë aty i kam thanë ministre që tregoni popullit që me pare të popullit janë dërgu me u renovu në Serbi. Pas atij komenti kanë fillu procedurat ndaj meje. Ato i ka nisur Kryeshefi Agron Statovci direkt. Ka çu një e-mail te vartësi im, te menaxheri im, Arian Budeci, ku i thotë që të mirren masat për komentet në Facebook”, ka rrëfyer Ademi.
Ademi thotë se në Serbi për riparim shkuan pesë vagonë, tre prej të cilëve nuk u rregulluan fare.
“Aty janë shku pesë vagona, për riparim të mesëm, gjeneral të vagonave, ku nuk janë rinovu hiç. Tre prej tyre janë edhe jashtë funksionit. Veç dy janë në qarkullim, tre janë jashtë funksionit. Ata vetëm janë ngjyros edhe janë pastru karriget janë la”, thotë.
“Sipas një dokumentit, Kryetar Komisioni ka qenë Faik Bogujevci, anëtar i Komisionit ka qenë Sabit Berisha, edhe Nazmi Zeqiri. Prej atij dokumenti dëshmohet se ata janë kanë në Serbi. I kam edhe disa fotografi të tyre që janë kanë në Serbi, në deponë e Zrenjaninit. Ministrja Rizvanolli ose Ministria e Ekonomisë e kanë financuar këtë projekt edhe kanë qenë në dijeni pikë për pike”, shton.




