Në kuadër të Akademisë Verore të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, pjesë e Global UBT Fest 2025, në hapësirat e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u organizua një aktivitet i veçantë me Binance, që mblodhi së bashku studentë, profesorë, profesionistë të fushës dhe të interesuar të tjerë për të diskutuar dhe mësuar më shumë rreth temave aktuale në teknologjinë Blockchain dhe kriptovaluta.
Hapjen solemne të ngjarjes e bëri Presidenti dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjive të reja si Blockchain në arsim, ekonomi dhe sektorë të tjerë strategjikë të zhvillimit.
Në vijim, eksperti Sandro Slukan mbajti një prezantim tematik rreth “Themeleve të Kriptovalutave, sigurisë në kripto dhe mënyrave për mbrojtjen e vetes në botën digjitale”, duke ofruar njohuri të rëndësishme praktike për të rinjtë që duan të angazhohen në këtë fushë.
Pjesë e programit ishte edhe paneli diskutues me temën “Integrimi i Blockchain në institucione”, i udhëhequr nga Rektori Hajrizi, ku morën pjesë Sandro Slukan dhe Polina Brottier, përfaqësuesë nga kompania globale Binance. Paneli solli perspektiva konkrete për aplikimin institucional të teknologjisë Blockchain në administratë, arsim dhe biznese.