Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar premtimet kryesore në përmbyllje të fushatës.
Ai ka përmendur Unazën e jashtme, Spitalin e Prishtinës, Fshatin Olimpik e Memorialin për Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin.
“Në mandatin e dytë, do ta çojmë Prishtinën PËRTEJ! Në mandatin e ri, ne do të shkojmë përtej çdo pengese. Sepse projektet që kanë nisur nuk ndalen: Ato do të bëhen realitet. Do ta bëjmë Unazën e Jashtme të qytetit – projektin që do t’i japë frymë trafikut të qytetit. Do ta ndërtojmë Spitalin e Kryeqytetit – që do të kujdeset vetëm për qytetarët tanë. Do ta zgjerojmë Mësimin Tërëditor – në të gjitha shkollat e kryeqytetit, do ndërtojmë shkolla moderne, çerdhe të reja, qendra sociale dhe hapësira për fëmijë. Do ta hapim Fshatin Olimpik – zemrën e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Do ta realizojmë Platformën e Arbërisë që lidh qendrën me lagjen më të re, nënkalimin e Agim Ramadanit, dhe Pasarelën Grand–Pallati i Rinisë – për ta kthyer qendrën në hapësirë të këmbësorëve e të jetës urbane”, tha Rama.
