Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në Kosovë shënoi rritje vjetore prej 6.8 për qind në muajin maj 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa në baza mujore u regjistrua rënie prej 0.4 për qind, bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas ASK-së, rritja vjetore e çmimeve u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i transportit me 14.1 për qind, strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 13.2 për qind, si dhe pijeve alkoolike, duhanit dhe narkotikëve me 5.6 për qind, raporton KosovaPress.
Kontribut në rritjen e inflacionit dhanë edhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 5.3 për qind, ushqimet dhe pijet joalkoolike me 5.1 për qind, shëndetësia me 4.1 për qind, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 3.6 për qind, kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme me 3.0 për qind, rekreacioni, sporti dhe kultura me 2.7 për qind, si dhe veshja dhe këpucët me 2.4 për qind.
Në anën tjetër, ASK-ja bëri të ditur se ulje vjetore e çmimeve është evidentuar vetëm te shërbimet arsimore, me 0.6 për qind.
Sa i përket lëvizjes mujore të çmimeve, në maj 2026 IHÇK-ja ra me 0.4 për qind krahasuar me prillin.
