Valon Lluka mbetet në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së tij dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas aktvendimit, masa e paraburgimit prej një muaji llogaritet nga 7 tetori deri më 6 nëntor 2026.
Lluka dyshohet për veprat penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Ndërkombëtar”, “Mashtrimi”, “Lidhja e kontratës së dëmshme” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.
Mbrojtësi i tij, avokati Driton Muharremi, kishte kërkuar ndërprerjen e paraburgimit dhe mbrojtjen në liri, ose caktimin e ndonjë mase alternative. Në ankesë, mbrojtja kishte kundërshtuar ekzistimin dhe arsyetimin e dyshimit të bazuar, duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë kishte pranuar pretendimet e Prokurorisë pa analizë të mjaftueshme të pavarur të provave.
Megjithatë, Apeli ka vlerësuar se provat e deritanishme e mbështesin dyshimin e bazuar dhe se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe i ndërhyrjes në prova.
Në arsyetim përmendet se Lluka, gjatë marrjes në pyetje, ishte interesuar të dinte se kush nga kompania “Hirano Mushrooms” kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij dhe nëse ishte marrë në pyetje Hasan Lahu. Sipas gjykatës, këto rrethana, bashkë me rrezikun e ndërhyrjes në dokumentacionin financiar, komunikimet elektronike dhe provat e tjera ende të pasiguruara, e justifikojnë mbajtjen në paraburgim.

