Një punëtor 32-vjeçar i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka humbur jetën të enjten, më 20 gusht, në vendin e punës, pasi dyshohet se ka pasur kontakt me një kabllo elektrike.
Ky është rasti i katërt me fatalitet që raportohet brenda këtij viti në KEK.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, në një intervistë për Ekonomia Online ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, ndërsa ka ngritur shqetësime për kushtet e sigurisë në vendet e punës në këtë korporatë.
“Po fillimisht e ndjejmë obligim ti shprehim ngushëllime familjes së kolegut tonë Arbenit Ahmetit i cili gjeti vdekjen fatkeqësisht në vendin e tij të punës në një kontakt me një kabëll elektrike, ka pësu një aksident që ka qenë fatale për jetën e tij. Ne i shprehim ngushëllime familjes, shokëve dhe gjithë dashamirëve që e kanë njohur, një djalë të sjellshëm, një djalë punëtor dhe një djalë i dalluar në mesin tonë në Korporatën Energjetike të Kosovës. Për rastin se si ka ndodhur aty në vendngjarje është duke u marrë policia dhe organet e hetuesisë, forenzika e të tjera të cilat janë duke u marrë me shkaqet e aksidentit”, tha Jashari për Ekonomia Online.
Jashari tha se kushtet e punës në KEK janë të rënda dhe se, sipas tij, ka mungesë të pajisjeve mbrojtëse për punëtorët.
“Për kushtet e punës të them me të vërtetë mund të themi se në Korporatën Energjetike të Kosovës kushtet janë jashtëzakonisht të rënda, kemi mungesë të disa pajisjeve mbrojtëse, si nga aspect e pajisjeve elektrike, makinerike dhe nga ana e xetarisë, kështu që natyra e punës në KEK është jashtëzakonisht e vështirë, jashtëzakonisht është e rëndë, kështu që ne i bëjmë apel menaxhmentit, bordit që të merren me përmirësimin e këtyre kushteve, me përmirësimin e gjendjes së vendeve të punës dhe sigurinë në përgjithësi të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës”, tha ai


