Ka vdekur Rushit Ramabaja, vëllai i analistit Sadri Ramabaja.
Lajmin e ka konfirmuar ky i fundit, i cili tha se vdekja e tij është humbje e madhe, teksa kujtoi kontributet e të ndjerit.
KUMT VDEKJEJE
Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të pamasë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Rushit Ramabajës, sivëllait tim të madh, një njeri jashtëzakonisht i dashur, një personalitet i rrallë i letrave shqipe dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj në rrafshin kombëtar.
Ikja e tij është humbje e rëndë jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për gjithë kulturën dhe mendimin shqiptar. Me veprën, fjalën dhe qëndrimin e tij ai la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë tonë dhe në ndërgjegjen kolektive të kombit.
Për mua personalisht, Rushiti ishte më shumë se një autor i madh: ishte model i intelektualit të angazhuar, shembull dinjiteti njerëzor dhe udhërrëfyes shpirtëror. Nga ai mësova se fjala e shkruar është përgjegjësi, se mendimi kërkon guxim dhe se dashuria për Atdheun shprehet çdo ditë dhe deri në mbyllje të kapitullit të jetës.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Ty, i dashur Rushit.