Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka dhënë detaje për gjendjen e personave të lënduar në aksidentin e rëndë të trafikut që ndodhi të hënën në fshatin Shushicë të Istogut, ku humbën jetën dy persona.
Sipas njoftimit të spitalit, në Shërbimin e Emergjencës fillimisht është pranuar një paciente pa shenja jete, e cila kishte pësuar politraumë. Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor, është konstatuar vdekja e saj.
Më vonë në Emergjencë janë pranuar edhe katër persona të tjerë të lënduar nga i njëjti aksident.
Një fëmijë, i cili ka pësuar politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i intubuar dhe nën kujdesin e ekipit të Anestezionit për trajtim të specializuar.
