Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me kancer të gjirit në Kosovë janë identifikuar në stadin e parë dhe të dytë, duke theksuar se zbulimi i hershëm rrit mundësitë për sukses të trajtimit dhe mbijetesë.
Këto deklarata Vitia i bëri në Simpoziumin e Tretë për Kancerin e Gjirit, të organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku u diskutua për rëndësinë e ndërgjegjësimit, diagnostikimit të hershëm dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për gratë.
“Pas çdo diagnoze të kancerit të gjirit, është një grua, një familje, dhe një përditshmëri që ndryshon në momentin kur kuptohet. Për një grua që pret rezultatet e ekzaminimeve, rëndësi ka të marrë përgjigjen në kohë, të kuptojë çfarë e pret dhe të dijë se ka profesionistë që do t’i qëndrojnë pranë gjatë gjithë kësaj faze. Ju jeni ata që me dijen, kujdesin, përkushtimin e juaj ndërtoni edhe besimin, edhe sigurinë që i duhet një gruaje në këto momente të vështira. Më vjen mirë që gjatë tetorit rozë, gjatë çdo tetori, çdo vit më shumë, po intensifikohen shumë aktivitete të cilat kanë të bëjnë me kancerin e gjirit, në mënyrë që përveç pjesës profesionale që përmendi profesor Rifati dhe profesor Albani, të jetë edhe pjesa e ndërgjegjësimit dhe jam i lumtur që nga viti 2024, falë punës e angazhimit të përbashkët të gjithë juve, pa përjashtim, shumica mbi gjysma e pacientëve me kancer të gjirit në Republikën e Kosovës, diagnostikohen në fazën e parë dhe të dytë, ku suksesi i terapisë dhe suksesi i mbijetesës është shumë më i madh. Bashkarisht, ne po angazhohemi që çdo grua, pavarësisht vendbanimit, apo gjendjes ekonomike, të ketë qasje në këto shërbime”, tha ai.
Vitia bëri të ditur se Kosova ka për herë të parë planin e veprimit për skriningun e kancerit të gjirit për periudhën 2026–2028.
Ai theksoi se mamografia ofrohet falas në institucionet publike shëndetësore, ndërsa këtë vit pritet të shtohen edhe tetë mamografë digjitalë në komuna ku kanë munguar këto pajisje.
“Për herë të parë, Kosova e ka edhe planin e veprimit të skriningut për kancerin e gjirit 2026-2028, dhe mamografia tashmë një kohë po ofrohet falas në të gjitha institucionet tona shëndetësore publike. Këtë vit po shtohen edhe 8 mamografë të tjerë dixhitalë në komunat ku kanë munguar, ndërsa përmes mamografit mobil po ofrojmë edhe shërbimin edhe për gratë në komunat ku nuk ka aparatura për momentin. Nga viti 2024, siç e thashë, falë këtij angazhimi e falë punës suaj, 53.4% e grave janë diagnostikuar në stadin e parë dhe të dytë. Paralelisht, bashkë me Klinikën e Onkologjisë dhe drejtorin Kurtishi, tash edhe kemi modernizuar edhe Klinikën e Onkologjisë, me dy akseleratorë të rinj dhe buxhetin për barna onkologjike nga 8 sa ka qenë në 22 milion euro”, tha Vitia.
