Vrasja e Aleksandër Koçekut mbrëmjen e kësaj të shtune në aksin Prekal-Kir dyshohet se ka ardhur si pasojë e një gjakmarrjeje.
Bëhet me dije se familjarë të Koçekut dyshohet se kanë vrarë 20-vjeçarin Pavlin Preka në 20 shkurt të vitit 2025-së.
I pyetur nga mediat këtë të shtunë i afërmi i Aleksandër Koçekut i cili ndodhej në vendngjarje, ka theksuar se viktima nuk ka patur asnjë problem tjetër.
Sipas tij e vetmja gjë që dyshohet se mund të jetë bërë shkak i vrasjes së sotme, lidhet me një gjakmarrje të mundshme.
“Siç e dini të gjithë, ne kemi një në burg për atë punë, që ka patur gjak borxh diku, për tjetër gjë unë nuk e di”, tha i afërmi i viktimës.Më tej i afërmi i viktimës konfirmoi se Aleksandër Koçeku ruhej, por njëkohësisht i duhej edhe të punonte për të jetuar.
Vrasja e Pavlin Prekës, si ndodhi ngjarja
Paulin Preka u gjet i vrarë në 20 shkurt të vitit 2025-së dhe dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, (në kohën kur ndodhi vrasja vajza ishte 16 vjeçe).
Historia, sipas hetimeve, nis rreth vitit 2022, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.
Megjithatë, sipas burimeve, gjatë viteve në vijim Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë.
