Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do t’u “lutet dhe do t’u kërkojë” Evropës dhe SHBA-së që të mos bëhet hapja e urës mbi lumin Ibër, e cila lidh pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës.
Sipas disa njoftimeve, Policia e Kosovës pritet të fillojë ta kontrollojë urën nga 1 shtatori.
“Unë kam frikë dhe të gjithë kanë frikë. Prandaj do të lutemi dhe do të kërkojmë. Nuk do ta kem të vështirë të telefonoj këdo, edhe nëse më duhet të telefonoj në Uashington, për të kërkuar ndihmë për këtë çështje. Këdo që mund të ndihmojë”, ka thënë Vuçiqi para gazetarëve.
Ai ka thënë se fillimisht do t’u kërkojë njerëzve në Evropë të ndihmojnë, ndërsa nëse nuk mund të ndihmojnë, do të telefonojë edhe në Uashington, të cilit gjithashtu do t’i kërkojë që të mos bëhet hapja e urës.
“Mjaft më me përndjekjen e popullsisë serbe dhe të krishterë në Kosovë dhe Metohi, besoj se njerëzit në Uashington do ta kuptojnë këtë. Besoj, nuk kam asnjë garanci, por do të shkoj te secili dhe do t’i lutem për popullin tonë, për lirinë e njerëzve tanë, për paqen dhe qetësinë e fëmijëve tanë”, ka pretenduar Vuçiqi në demagogjinë e tij të radhës për konsum të brendshëm