Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2025 ka ngritur aktakuzë, me propozim për gjykim në mungesë, ndaj 21 personave të cilët i akuzon për masakrën e Reçakut. Ata akuzohen për vrasjen e 42 civilëve më 15 janar 1999.
Sipas aktakuzës së publikuar nga “Betimi për Drejtësi“, të akuzuar në këtë rast janë: Obrad Stevanoviq, Radomir Markoviq, Krsman Jeliq, Goran Radosavljeviq, Zhivko Trajkoviq, Bogoljub Janiqeviq, Milan Leçiq, Radomir Mitiq, Dragan Gjorgoviq, Branko Mladenoviq, Dragan Jasoviq, Momqilo Sparavalo, Darko Amanoviq, Srboljub Vujnoviq, Bozhidar Marinkoviq, Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq, Dragoslav Nikoliq, Çedomir Aksiq dhe Zvonimir Janiqijeviq.
Prokuroria ka propozuar që në këtë gjykim të ftohen në cilësinë e dëshmitarëve- të dëmtuarve 52 persona. Po ashtu, janë propozuar edhe të dëgjohen shtatë dëshmitarë të tjerë, në mesin e tyre ndërkombëtarët William Walker, ish-ambasador i OSBE-së në Kosovë, ish-gjenerali suprem i NATO-s, Wesley Clark, Helena Ranta- e cila ishte anëtare e ekipit të ekspertëve mjeko-ligjorë të Bashkimit Evropian në Prishtinë, të caktuar me kërkesë të OSBE-së, Richard Ciaglinski- oficer ndërlidhës gjatë misionit në Kosovë, John Crosland- kolonel britanik, Karl John Drewinwkiewicz- shefi i operacioneve të Misionit të Verifikimit të Kosovës. Po ashtu, është propozuar të ftohet edhe eksperti mjeko-ligjor Flamur Blakaj.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurori special Ilir Morina, është propozuar që gjatë procedurës së shqyrtimit të provave, të administrohen procesverbalet e deklaratave të dëshmitarëve- përfshirë edhe atë të William Walker e dhënë nga mundësia hetuese e veçantë. Po ashtu, u propozua administrimi i raporteve policore dhe provave tjera materiale, përfshirë edhe raporte nga instituconet dhe organizatat ndërkombëtare të marra nga burime të hapura.
Në aktakuzë u propozua edhe administrimi i provave të siguruara përmes NJN nga ish-Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë.
