Xhafer Tahiri ka njoftuar sot dorëheqjen nga detyra e kryetarit të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Vushtrri.
Tahiri përmes një postimi në ‘Facebook’ tha se ky vendim është marrë “me shumë dashamirësi, reflektim dhe përgjegjësi të thellë politike”, duke theksuar se nuk vjen as nga lodhja e as nga zhgënjimi, por nga dëshira për t’i hapur rrugë energjive të reja brenda degës së LDK-së.
“Besoj se udhëheqja duhet të dijë jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për një kapitull tjetër të LDK-së në Vushtrri”, u shpreh ai.
Tahiri kujtoi rrugëtimin e tij politik që nga viti 2009, kur mori drejtimin e FRLDK-së në Vushtrri dhe më vonë në nivel qendror, si dhe periudhën 2017–2021, kur shërbeu si Kryetar i Komunës së Vushtrrisë, të cilën e cilësoi si “nderi i jetës sime”.
“Vendimi për dorëheqje është një hap prapa vetëm në pozicion, por jo në angazhim. Në Kryesinë Qendrore dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së do të vazhdoj të punoj me të njëjtin përkushtim për Vushtrrinë, për LDK-në e fortë e fituese dhe për të ardhmen tonë të përbashkët në atdheun tonë”, shkroi Tahiri në profilin e tij në Facebook.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, Të respektuar anëtarë, aktivistë dhe miq të LDK-së,
Ka ditë kur njeriu flet vetëm nga zemra, sot është një prej atyre ditëve. Me shumë dashamirësi, reflektim dhe përgjegjësi të thellë politike, kam marrë vendimin të jap dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Degës së LDK-së në Vushtrri.
Ky vendim nuk vjen as nga lodhja, as nga zhgënjimi. Vjen nga dashnia e madhe që kam për qytetin e zemrës dhe nga respekti që kam për secilin prej jush. Besoj se udhëheqja duhet të dijë jo vetëm kur të prijë, por edhe kur të hapë rrugë për energji të reja, për një kapitull tjetër të LDK-së në Vushtrri.
Rruga ime politike ka filluar shumë herët. Në 2009, kur më besuat drejtimin e FRLDK-së në Vushtrri, e më pas në gjithë Kosovën, unë isha vetëm një i ri i rritur me LDK e me ëndrra dhe idealizëm. Ju më hapët derën dhe unë u betova që kurrë të mos ju zhgënjej.
Që nga 2017, çdo ditë e jetës sime ka qenë në funksion të këtij qyteti. Kam punuar me zemër, me ndershmëri dhe me bindjen e thellë se Vushtrria meriton më shumë. Nderi i jetës sime ka qenë të shërbej si Kryetar i Komunës 2017–2021, një periudhë e mbushur me punë, sfida, por edhe me projekte që kanë lënë gjurmë. Unë jam krenar për çdo hap që kemi bërë bashkë.
