Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, ka komentuar disa deklarata të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti gjatë një bashkëbisedimi me disa të rinj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti tha se SHBA-ja vlerëson se Kosova nuk po e ndihmon që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. “Ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha ai.
“Si nuk qenka problem yni edhe largimi i Serbisë nga Rusia? A nuk është ndikimi rus në Evropë dhe rajon rrezikim i përgjithshëm i sigurisë, demokracisë e progresit? Një Serbi e lidhur ngushtë me Rusinë është një Serbi e fuqizuar ushtarakisht, autoritare përsëbrendshmi dhe e rrezikshme për secilin në rajon. Madje edhe e nxitur për tensionim të vazhdueshëm në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut. Për Albin Kurtin këto nuk qenkan problem i tij. Si bëhet që siguria e Kosovës nuk qenka problem i Albin Kurtit?”, shkruan Ymeri në një postim në Facebook.
