Ukraina pret 30 miliardë euro nga Bashkimi Evropian (BE) për të financuar mbrojtjen e saj. Kështu tha Presidenti Volodimir Zelenski para gazetarëve në Kiev: "Ato duhen për mbrojtjen e gjithë vendit." Sot buxheti i mbrojtjes ka një hendek prej rreth 23 miliardë eurosh.
Paratë duhen për pagat e ushtarëve, për dëmshpërblimet e familjeve të të rënëve dhe për shpenzime të tjera. Veç kësaj, Ukrainës i nevojiten para edhe për prodhimin e dronëve. "Kërkohet një shumë e konsiderueshme. Për këtë çështje po punoj me francezët dhe gjermanët", tha Zelenski, raporton DW.
Zelenski njofton përparime në terren
Njëkohësisht Presidenti vuri në dukje sukseset në front. Që nga fillimi i vitit forcat e armatosura kanë rimarrë 820 kilometra katrorë. Rajoni i Dnipropetrovskut ndodhet tashmë gati plotësisht nën kontrollin ukrainas. Vetëm rreth dhjetë kilometra katrorë me tri vendbanime janë ende jashtë kontrollit të plotë të Kievit. Këto të dhëna nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Zelenski pranoi po ashtu se Rusia ka pushtuar rreth 990 kilometra katrorë territor ukrainas që nga fillimi i vitit. Ai beson se trupat ukrainase do të rimarrin edhe zona të tjera deri në fund të vitit. Një dorëzim vullnetar të Donbasit ai e përjashtoi sërish. Moska kishte kërkuar tërheqjen nga ky rajon lindor si kusht për armëpushim.
Paralajmërim për zgjedhje gjatë luftës
Ministri i Mbrojtjes, Mihajlo Fedorov, u shkarkua në korrik dhe kërkoi zgjedhje qysh gjatë luftës. Zelenski e hodhi poshtë me ashpërsi këtë kërkesë. "Zgjedhjet në këtë moment do të ishin si një cunam për shtetin dhe do ta përçanin Ukrainën", tha Presidenti. "Prandaj strategjia ime është ta udhëheq vendin deri në fund të luftës dhe të ruaj një shtet të pavarur e sovran."
Rreth një muaj pas largimit, Fedorovi bëri thirrje të gjendet një "mekanizëm ligjor, i sigurt dhe realist" për zgjedhje, pavarësisht pushtimit rus. "Demokracia nuk duhet të mbahet peng nga Rusia", tha 35-vjeçari në një mesazh video. Një plan konkret ai nuk paraqiti.




