erbia po zhvillon zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të shoqëruara me pjesëmarrje jashtëzakonisht të lartë, incidente të dhunshme dhe raportime për parregullsi në vendvotime.
Gara ndërmjet kampit të Aleksandar Vuçiqit dhe Listës Studentore konsiderohet sfida më serioze ndaj pushtetit që ka dominuar Serbinë për 14 vjet.
Por, pavarësisht rivalitetit të ashpër politik, të dyja kampet kanë një qëndrim të përbashkët: refuzimin e pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë shqiptarët janë bashkuar në një listë, me qëllim maksimalizimin e votës dhe përfaqësimin sa më të lartë në paralamentin serb.
Pjesëmarrje jashtëzakonisht e lartë
Të dhënat e publikuara pas orës 15:00 tregojnë një mobilizim të madh të votuesve, dukshëm më të lartë sesa në zgjedhjet e vitit 2023.
Sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK), deri në orën 14:00 kishin votuar 46.53 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit 2023, pjesëmarrja në të njëjtën orë kishte qenë 32.38 për qind.
Pjesëmarrja më e lartë është regjistruar në Vojvodinë, me 49.23 për qind, ndërsa në Beograd kishte arritur në 47.55 për qind.
Kjo rritje tregon mobilizim të pazakontë elektoral, por nuk përcakton se cili kamp po përfiton më shumë nga dalja e qytetarëve.
Incidente, sulme dhe dyshime për manipulime
Procesi zgjedhor është shoqëruar edhe me incidente që kanë ngritur shqetësime për sigurinë e votuesve dhe rregullsinë e zgjedhjeve.
Pas orës 15:00, portali serb 021 raportoi për një sulm fizik ndaj një gruaje pranë një vendvotimi në qendër të Beogradit.
Sipas raportimit të medias Mašina, një grup burrash kishte sulmuar fillimisht verbalisht dhe më pas fizikisht persona që po shkonin të votonin.
Ndërkohë, rreth orës 15:10, u raportua për grupe burrash të veshur me të zeza që marshonin nëpër rrugët e Beogradit.




