Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se institucioni që ai drejton preferon datën 7 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, Radoniqi deklaroi para gazetarëve se kjo datë do të ishte më e përshtatshme për realizimin e të gjitha përgatitjeve të nevojshme për organizimin e procesit zgjedhor.
Ai theksoi se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda afatit kushtetues prej 45 ditësh, ndërsa 7 qershori ofron hapësirë të mjaftueshme për përgatitje teknike dhe administrative të zgjedhjeve.
