Aktualisht, në Maqedoni të Veriut ka 12 zjarre në qiell të hapur, prej të cilëve katër janë aktivë, një është lokalizuar, ndërsa shtatë janë shuar, sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK).
Aktive janë zjarret në Komunën Prilep: fshati Beshishtë, ku është kapluar pyll i përzier, në Komunën Makedonski Brod në fshatin Creshnevë ku po digjet pylli me lisa dhe shkurre. Në Komunën Çashkë, ndërmjet burimeve të Babunës, vetëm tym në pjesën tokësore (zjarr pyjor).
Në Komunën e Çuçer Sandevës: midis fshatrave Bllacë dhe Çuçer, është djegur një pyll i përzier dhe bimësi e ulët. Dy helikopterë policie, një helikopter ushtarak, si dhe tre automjete të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim – një hermelin me një autocisternë, një pinzgauer dhe një automjet fuoristradë amarok – janë angazhuar për të shuar zjarrin që nga ora pesë e mëngjesit të sotëm. Ata po veprojnë në mbështetje të Brigadës për Mbrojtje nga Zjarret, e cila me disa zjarrfikës dhe automjete po shuan zjarrin e madh në një zonë të hapur në territorin e Komunës së Çuçer Sandevës mbi autostradën Shkup – Bllacë, i cili shpërtheu dje pasdite, shkruan Alsat-M.
Siç deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angellov, arsyeja më e shpeshtë për zjarrin në komunën Çuçer Sandevë janë bishtat e cigareve të hedhura nga automjetet në lëvizje ose djegie me qëllim.
“Nga vëzhgimi im i drejtpërdrejtë, mund të them se ky zjarr shpërtheu në afërsi të rrugës kryesore për në Bllacë dhe shkaku i mundshëm është një bisht cigareje i hedhur nga një automjet në lëvizje ose zjarr vënie e qëllimshme. Prandaj, u bëjmë thirrje qytetarëve të sillen me përgjegjësi dhe të mos hedhin kurrë bishta cigaresh jashtë automjetit, edhe kur janë të bindur se janë shuar”, apelon Angelov.