Zyra Kombëtare e Auditimit ( ZKA) ka realizuar auditimin e performancës “Efektiviteti i Sistemit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorëve në Kosovë” për periudhën 2022-2024.
ZKA-ja me këtë rast ka vlerësuar trajtimin e ankesave, planifikimin dhe realizimin e inspektimeve, zbatimin e strategjive dhe programeve, ndërgjegjësimin publik dhe koordinimin ndërinstitucional.
“Rezultatet e auditimit tregojnë se pavarësisht përpjekjeve institucionale, konsumatorët në Kosovë nuk gëzojnë mbrojtje reale, të drejtë dhe efektive, si dhe institucionet nuk arrijnë të garantojnë transparencë dhe përgjegjësi të plotë në këtë drejtim”.
“Sistemi aktual për mbrojtjen e konsumatorëve nuk është i koordinuar mirë, dhe paraqet dobësi të theksuara pothuajse në secilën hallkë të tij. Procedurat për trajtimin e ankesave nuk janë të qasshme, të unifikuara dhe nuk monitorohen në mënyrë sistematike e të verifikueshme, duke pamundësuar sigurimin e një mbikëqyrjeje të besueshme dhe transparente për ecurinë dhe zgjidhjen e rasteve”.
