Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një parashtrese ka thënë se në parim nuk kundërshton që deklarata e Gjeneralit Wesley Clark të pranohet në prova materiale për sa kohë ajo i plotëson kërkesat sipas Rregullës 154.
Po ashtu, në parashtresën e Prokurorisë, theksohet po ashtu se nuk e kundërshtojnë as ndryshimin e listës së provave të mbrojtjes së Thaçit në mënyrë që të përfshihet edhe kjo deklaratë e po ashtu as masat e propozuara sipas Rregullës 107, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në përgjigje të kërkesës së mbrojtjes lidhur me këto pika, Prokuroria thotë se nga fakti që deklarata e propozuar e Clark përmban prova me opinione që lidhen me çështje të rëndësishme, ata nuk e kundërshtojnë pranimin e saj sipas Rregullës 154.
Megjithatë, Prokuroria vlerëson se nëse ky material pranohet, duhet kujdes i duhur në vlerësimin e peshës së kësaj dëshmie.
“Për arsyet e mësipërme, ZPS-ja nuk kundërshton: (i) pranimin e provave të propozuara në Kërkesë, me kusht që të plotësohen kriteret e Rregullës 154; (ii) kërkesën për ndryshimin e listës së provave; ose (iii) masat e propozuara të Rregullës 107”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
