Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se funksionalizimi i shpejtë i institucioneve të Republikës është vendimtar për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes, duke konfirmuar se vendi tashmë ka humbur mbi 40 milionë euro për shkak të vonesave në zbatimin e reformave.
Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, ai tha se Kosova do ta dorëzojë më 15 korrik raportin e parë mbi zbatimin e Agjendës së Reformave (që përmban 111 hapa) në bazë të së cilës pritet të kërkojë lirimin e më shumë se 100 milionë eurove që i takojnë nga Plani i Rritjes.
Pas dorëzimit të raportit, Komisioni Evropian do të ketë tre muaj kohë për të verifikuar nëse reformat janë zbatuar sipas kritereve të dakorduara, e më pas do të vendosë për disbursimin e fondeve.
Zulfaj theksoi se mjetet financiare nuk transferohen automatikisht, por lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e secilit obligim të marrë nga Kosova në kuadër të Planit të Rritjes.
“Ne, me Planin e Rritjes do të duhej që çdo gjashtë muaj, të dërgojmë një raport tek Bashkimi Evropian, për progresin në agjendën e reformave. Agjenda e reformave i ka 111 hapa, të cilat janë vendosur nga institucionet tona si reforma…Ne deri më 30 qershor, rezulton që i kemi përmbushur 18 hapa. Nga këto 18 hapa do të shohim se cili do të jetë vlerësimi i Komisionit. Më 15 korrik ne do ta dërgojmë raportin bashkë me evidencën e përfundimit të hapave. Bashkimi Evropian ka tre muaj në dispozicion për të bërë vlerësimin e raportit tonë, bashkë me evidencën që e bashkëngjitim, për të vlerësuar nëse kështu qëndron siç kemi raportuar ne, dhe në momentin që konstatohet pozitivisht secili hap që është arritur, atëherë secili hap e ka një shumë të fondeve që duhet të jetë mbi 100 milionë euro fatura, le të themi, për lirimin e fondeve që ne do ta kërkojmë në këtë fazë. Sigurisht që do të ishte shumë më shumë sikur të hynte në fuqi marrëveshja më herët, edhe sikur të kishim një Kuvend i cili funksionon”, deklaroi ai. Zulfaj vlerësoi se vonesat e shkaktuara nga kriza politike e muajve të fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e reformave. Nga 13 hapat që duhej të përfundonin deri më 30 qershor, shtatë janë realizuar, ndërsa gjashtë kanë mbetur pezull, kryesisht për shkak se kërkojnë miratimin e ligjeve nga Kuvendi.
Sipas kryenegociatorit, kjo situatë i ka kushtuar Kosovës rreth 40 milionë euro fonde që konsiderohen të humbura për arsye se ato nuk u “merituan” në kohën e duhur.
Ai tha se reformat e mbetura nuk janë braktisur dhe se ato do të mund të miratohen nga legjislatura e re, por vonesat kanë pasoja financiare që ndikojnë në zbatimin e Planit të Rritjes.
“Po ne i kemi 13 hapa i kishim deri në 30 qershor. Prej tyre 7 rezultojnë të përmbushur dhe 6 që nuk kanë arritur të përfundohen. Në mesin e tyre pesë prej hapave janë kërkojnë ligje. Siç e dini, pjesa kryesore ndoshta e kësaj reforme, dhe pastaj do të ta bëj një dallim sepse reformat do të kryhen. Ju e dini që janë 6 ligje të reformës në drejtësi, të cilat ishin si një lloj vetingu i drejtësisë…(rreth 31) Pra të gjitha këto do të bëhen, sepse janë për të mirën e qytetarëve dhe të Republikës dhe janë reforma. Dhe sigurisht që por është e dëmshme që nuk janë përfunduar le të themi në afatin e 30 qershorit, por mund të bëhen tashmë në legjislaturën e re. Mund të bëhen me një muaj vonesë. Dhe kush duhet ta marrë faturën për këto 2 muaj, në mungesën e humbjes së fondeve? Unë mendoj që duhet të shohim shumë vitin e kaluar. Gjithë viti humbi. Jo vetëm që janë 40 milionë euro që llogaritet të humbura. Por unë kisha shtuar këtu, edhe 20 milionë euro tjera e më shumë sa po na kushtojnë zgjedhjet e 10 dhjetorit të vitit të kaluar dhe të 7 qershorit”, shtoi Zulfaj.
