Duke u mbështetur në dekada miqësie dhe marrëdhënie të ngushta mes dy vendeve, Kosova dhe Zvicra shënuan sot partneritetin e tyre të qëndrueshëm përmes lansimit të Programit të Bashkëpunimit të Zvicrës në Kosovë për periudhën 2026–2029.
Në një ngjarje të përbashkët të mbajtur në Prishtinë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve institucionalë, partnerëve dhe përfituesve të shumtë, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, Ambasadorja Patricia Danzi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), si dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ritheksuan miqësinë e fortë ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Sprecher theksoi se mbështetja e Zvicrës ka qenë gjithmonë e udhëhequr nga një përkushtim i fortë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimit të vendit, duke nënvizuar se, ndërsa Kosova vazhdon të zhvillohet, programi i ri reflekton një kalim drejt një partneriteti më strategjik dhe fuqizimit të ndërsjellë.
Në emër të institucioneve federale zvicerane të pranishme në këtë ngjarje, pjesëmarrësve iu drejtua Ambasadorja Patricia Danzi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të Departamentit Federal për Punë të Jashtme (FDFA).
‘’Fokusi ynë me Programin e Bashkëpunimit 2026–2029 është plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare Zhvillimore të Kosovës dhe i ndërtuar në partneritet të ngushtë me institucionet qendrore dhe lokale, sektorin privat dhe shoqërinë civile. Ndërsa programi përfaqëson një angazhim të konsiderueshëm prej 70 milionë eurosh, vlera e tij e vërtetë shkon përtej vetë financimit. Burimet financiare kanë rëndësi vetëm kur përkthehen në ndikim real—kur përmirësojnë jetën, forcojnë sistemet dhe krijojnë mundësi domethënëse për njerëzit në gjithë Kosovën” deklaroi Ambasadorja Danzi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, falënderoi Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme, duke folur për lidhjet e ngushta ndërmjet dy vendeve dhe rolin e rëndësishëm të diasporës kosovare në Zvicër. Ai vuri në dukje se Zvicra është ndër partnerët më të mëdhenj dypalësh të bashkëpunimit për Kosovën dhe investitori i dytë më i madh i huaj, duke theksuar se ky partneritet i fortë do të vazhdojë të formësojë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në vitet e ardhshme.
