Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman, ka folur sot rreth aplikimit të Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat.
Koopman ka thënë se Komisioni Evropian do të ishte i gatshëm natyrisht që të përgatiste një mendim rreth aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat, megjithatë Këshilli nuk e ka kërkuar ende një gjë të tillë.
Ai ka thënë se në Kosovë duhet të ketë reflektim se pse Këshilli Evropian s’po e bën një gjë të tillë.
“Këshilla ime për vendin është që të përqendrohet në këtë drejtim, sepse nëse nuk është plotësisht i angazhuar, është e vështirë të ecet përpara. Ne, në Komision, jemi në proces të heqjes së masave pas një diskutimi shumë të vështirë në Këshillin e BE-së vitin e kaluar. Ne do të ishim të gatshëm, natyrisht, të përgatisim një mendim mbi aplikimin për anëtarësim të Kosovës, por për këtë Këshilli duhet të na ftojë dhe mendoj se duhet të ketë një reflektim edhe në Kosovë pse Këshilli nuk po e bën këtë gjë”, ka thënë Gert Jan Koopman, drejtor i Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, citon RTK.
Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi në takimet që ka me zyrtarë të lartë të BE-së, kërkon që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.
