Këngëtarja e njohur shqiptare, Xhensila Myrtezaj, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një mesazh të ndjerë, përmes të cilit ka shprehur shqetësimin për gjendjen në vend dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët.
“Më dhemb ajo që shoh në vendin tim”, shkruan Xhensila në fillim të reagimit të saj, duke u ndalur te të rinjtë që detyrohen të largohen nga Shqipëria në kërkim të një të ardhmeje më të mirë
Ajo shprehet se e shqetëson fakti që të rinjtë po i lënë pas ëndrrat e tyre, ndërsa përballen me pasigurinë, zhgënjimin dhe frikën se nesër mund të mos kenë një të ardhme në vendin ku kanë lindur.
Këngëtarja ka vënë në pah edhe sakrificat e prindërve, të cilët punojnë pa u lodhur për fëmijët e tyre, si dhe vështirësitë me të cilat përballen njerëzit që punojnë ndershmërisht dhe mezi arrijnë të jetojnë me dinjitet.
“Unë jam artiste. Jam nënë. Por mbi të gjitha jam qytetare e këtij vendi”, shprehet ajo, duke theksuar se nuk dëshiron që fëmijët e saj të detyrohen të largohen nga Shqipëria për të pasur mundësitë që duhet t’i kishin në vendin e tyre.

