Aktori i njohur Burak Özçivit po rikthehet në ekranin televiziv me një rol të ri kryesor. Fragmenti i parë i serialit të tij më të fundit, “Güneşin Doğduğu Yer”, u ka dhënë shikuesve pamjen e parë të karakterit Kenan Kozan. Drama e re e rrjetit ATV, e prodhuar nga “Tims&B Productions”, renditet ndër projektet më të përfolura për sezonin e ri televiziv.
Xhirimet po zhvillohen në Adana, ku si lokacion kryesor po përdoret vila e famshme që u bë e njohur nga seriali “Bir Zamanlar Çukurova”. Raportimet nga mediat turke konfirmojnë se ky projekt po përgatitet si një nga produksionet më gjigante të ATV-së.
Burak Özçivit interpreton Kenan Kozanin, trashëgimtarin e ri të një prej familjeve më të fuqishme të Çukurovës. Personazhi i tij gjendet i ndarë mes detyrimeve ndaj familjes dhe dashurisë që i ndryshon jetën. Qendra e ngjarjes është marrëdhënia komplekse mes Kenanit dhe Leylas, me të cilën ai dashurohet marrëzisht gjatë një udhëtimi në Gjermani.
Megjithatë, lidhja e tyre ndesh në pengesa të mëdha. Celadet, nëna e Kenanit (e luajtur nga Sibel Taşçıoğlu), kundërshton me forcë këtë dashuri sepse ka plane të tjera për të ardhmen e të birit. Ajo synon ta martojë Kenanin me Hanzaden (Hilal Anay), e cila shihet si nusja ideale nga rrethi i tyre familjar.
