Reperi i njohur kosovar, Capital T, ditë më parë shprehu publikisht mbështetjen për protestat në Shqipëri, duke u bërë thirrje mediave në Kosovë që t'u kushtojnë më shumë vëmendje zhvillimeve dhe zërit të qytetarëve që po protestojnë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artisti vuri në pah rëndësinë e gazetarisë së pavarur dhe raportimit pa censurë, duke theksuar se mediat kanë përgjegjësi të informojnë publikun për çështjet me interes të përgjithshëm.
Ndërkohë, pas këtij reagimi, portali shqiptar Dosja.al ka publikuar një audio-incizim të një telefonate mes reperit dhe një personi të identifikuar si oficer i Policisë së Tiranës.
Sipas Dosja.al, e cila pretendon se e ka siguruar incizimin, oficeri Niko Kurti e ka telefonuar artistin për ta pyetur se ku ndodhej dhe kur planifikonte të kthehej në Tiranë.
Gjatë bisedës, Capital T, emri i vërtetë i të cilit është Trim Ademi, i tregon bashkëbiseduesit se ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ende nuk ka një datë të caktuar për kthimin e tij.
