Këngëtarja Dua Lipa ka folur për herë të parë me detaje për lidhjen dhe fejesën e saj me aktorin britanik Callum Turner, duke pranuar se është “dashuruar marrëzisht” me të
Në një intervistë të sinqertë për edicionin Global Icons të Harper’s Bazaar U.S., këngëtarja 29-vjeçare, e cila po ashtu pozoi për një set fotografik mahnitës, tha se është gati të jetë e ndjeshme dhe të lejojë dashurinë në jetën e saj, edhe nëse kjo mund ta lëndojë.
“E dua dashurinë. Është një gjë e bukur dhe frymëzuese. Ti e gjen veten duke u dashuruar marrëzisht në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo ndjeshmëri është e frikshme, por ndihem me fat që e përjetoj”, deklaroi ajo, sipas DailyMail.
Dua dhe Callum nisën të frekuentoheshin në janar të vitit të kaluar, por e bënë publike lidhjen në qershor. Një vit më pas, çifti konfirmoi fejesën e tyre.
“Kam kaluar shumë kohë duke mbrojtur zemrën time, por tani po e lë pas këtë ndjenjë. Nëse është e shkruar të lëndohem, atëherë le të ndodhë. Duhet thjesht ta lejoj dashurinë”, shtoi artistja.
E pyetur pse ka zgjedhur të flasë kaq hapur për lidhjen e saj, Dua tha: “Jam më e lumtur se kurrë, ndaj më duket padrejtësi të mos flas për këtë. Kur je person publik, çdo gjë personale bëhet edhe më e ndjeshme, por nuk është se nuk dua ta ndaj”.
Këngëtarja, e cila më 22 gusht mbush 30 vjeç, foli për herë të parë publikisht për emocionet e fejesës gjatë një interviste për British Vogue. Ajo pranoi gjithashtu se ka menduar për të ardhmen e saj si nënë.
“Një ditë do të doja të kem fëmijë. Por gjithmonë pyes veten kur është koha e duhur – si do të kombinohej me karrierën time, me turnet, dhe sa kohë do të më duhej të shkëputesha. Është diçka që thjesht do të ndodhë kur të vijë momenti. Unë i dua fëmijët, por e di se rritja e një fëmije është shumë më tepër sesa thjesht dashuria për ta”.
Mediat raportuan në fund të vitit të kaluar lajmin e propozimit romantik të çiftit, ndërsa Dua është parë shpesh me unazën e saj me diamant.
“Po, jemi të fejuar. Është një ndjenjë e veçantë, ky vendim për të jetuar bashkë gjithë jetën, për të qenë miqtë më të mirë përgjithmonë” , u shpreh këngëtarja.