Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, e ka përshkruar dasmën e saj me aktorin Callum Turner si një ditë “magjike”.
Në një intervistë për kopertinën e revistës Vogue Italia, 31-vjeçarja ka rrëfyer për herë të parë detaje nga jeta e re martesore dhe dy këshillat më të rëndësishme që mori në ditën e saj të madhe.
“Na këshilluan ta jetonim atë ditë sikur të ishim edhe ne mysafirë — kështu me më pak ankth e më shumë argëtim — si dhe të kërkonim vazhdimisht njëri-tjetrin mes njerëzve, pa e humbur kurrë kontaktin,” është shprehur artistja.
Dua tregoi se si gjetja e dashurisë me aktorin 36-vjeçar ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në mënyrën se si ajo krijon muzikë.
Këngëtarja shpjegoi se kur ishte më e re, frymëzohej kryesisht nga ndjenja e thyerjes së zemrës, pasi ishte një emocion i fortë dhe i zhurmshëm. Mirëpo, tashmë ajo dëshiron të eksplorojë se çfarë ndodh kur gjen dashurinë e vërtetë, duke u fokusuar te kompleksiteti i një marrëdhënieje, anët e saj më paqësore dhe detajet e vogla.
Çifti kurorëzoi dashurinë e tyre në një ceremoni në Siçili, në vilën historike “Valguarnera” pranë Palermos më 6 qershor, pasi më parë kishin kryer celebrimin zyrtar në Londër.
Dua Lipa dhe Callum Turner nisën thashethemet për një romancë në fillim të vitit 2024 dhe e bënë lidhjen zyrtare në korrik të po atij viti. Këngëtarja konfirmoi fejesën e tyre për British Vogue në korrik 2025, ku u shpreh se vendimi për t’u plakur së bashku dhe për të qenë miqtë më të mirë përgjithmonë është një ndjenjë me të vërtetë e veçantë.