Rap-artisti i njohur shqiptar, Noizy, është ndaluar ditë më parë nga autoritetet zvicerane menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Cyrihut, ku ndodhej për një turne promovues të albumit të tij më të ri, “Icon”.
Këngëtari pritej të performonte në një klub nate në qytet, mirëpo ndalimi i tij nga autoritetet vendase bëri që lajmi të përhapej me shpejtësi në media online dhe rrjete sociale.
Disa raportime mediatike sugjeruan se ndalimi është bërë me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime të Rënda dhe të Dhunshme. Megjithatë, nga ana e ekipit të Noizyt kjo u mohua.
Në një prononcim për Revista Class, njerëz të afërt me artistin pohojnë se situata është rezultat i një ngatërrese administrative dhe nuk lidhet me asnjë çështje penale.
“Të gjithë jemi të habitur dhe të zhgënjyer nga mënyra si ndodhi kjo. Nuk është e qartë se çfarë ka çuar në këtë ndalim, por duket të jetë një keqkuptim,” shprehen të afërm të artistit.