Pas Francës, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, edhe Italia ka anuluar një koncert të reperit amerikan Kanye West për shkak të polemikave që lidhen me deklaratat e tij antisemitike.
Koncerti ishte planifikuar të mbahej në korrik në qytetin italian Reggio Emilia, por u anulua pas kërkesës së komunitetit hebre lokal. Drejtuesja e komunitetit, Nicoletta Uccelli, u bëri thirrje autoriteteve që aktiviteti të zëvendësohej me një ngjarje që promovon muzikën si forcë bashkuese.
Prefekti i zonës, Salvatore Angieri, deklaroi se vendimi u mor duke marrë parasysh disa faktorë, përfshirë anulimet e mëparshme të koncerteve të artistit në vende të tjera dhe rrezikun e protestave kundërshtuese.
Megjithëse muajt e fundit Kanye West ka kërkuar falje publike ndaj komunitetit hebre, pas një serie deklaratash antisemitike, reagimet ndaj tij vazhdojnë të sjellin pasoja në karrierën e tij.
Reperi po planifikonte një turne botëror për promovimin e albumit të ri, Bully, por disa prej koncerteve të planifikuara janë anuluar. Mes tyre janë edhe tri netët e planifikuara në festivalin Wireless Festival në Londër, si dhe performanca në Zvicër, Poloni dhe Francë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet i ndaluan hyrjen në vend, duke çuar në anulimin e paraqitjes së tij në festival. Kryeministri britanik Keir Starmer mbështeti vendimin, duke deklaruar se qeveria do të vazhdojë luftën kundër antisemitizmit.
