Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, dhe aktori i njohur i Hollywood-it, Callum Turner, i kanë dhënë fund beqarisë duke u martuar sot në një ceremoni tejet private dhe intime, të rrethuar vetëm nga rrethi i tyre i ngushtë familjar dhe shoqëror.
Çifti i famshëm shkëmbeu zotimet e martesës këtë pasdite në zyrën e gjendjes civile në Londër.
Këngëtarja 29-vjeçare shkëlqeu e tëra në të bardha, e veshur me një fustan elegant, kapelë dhe doreza, teksa ecte dorë për dore me bashkëshortin e saj të ri, 35-ish vjeçarin Callum Turner, i cili kishte përzgjedhur një kostum elegant me ngjyrë të kaltër të errët dhe kollare. Në përfundim të ceremonisë zyrtare, tetë nga miqtë dhe familjarët e tyre më të afërt u rreshtuan në të dyja anët e shkallëve të institucionit, duke hedhur konfeti mbi çiftin e lumtur, të cilët më pas u larguan me një taksi tradicionale të zezë londineze.
