Rita Ora po përballet me një padi nga ish-menaxherja e saj, Sarah Stennett, e cila pretendon se kompanisë së saj, FAE Ventures, i detyrohen më shumë se 3.2 milionë paund.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën e Lartë në Mbretërinë e Bashkuar, kompania pretendon se Rita nuk ka respektuar disa kushte të kontratës së saj, duke mos i kaluar kompanisë një pjesë të të ardhurave të krijuara nga turnetë dhe angazhimet televizive.
Stennett, e cila e menaxhoi Ritën që nga viti 2009 dhe luajti rol në zhvillimin e karrierës së saj, u nda profesionalisht nga këngëtarja në vitin 2024. Ndarja fillimisht u duk miqësore, por tashmë marrëdhënia mes palëve ka përfunduar në një përballje ligjore.
Pjesa më e madhe e shumës së pretenduar, më shumë se 1.7 milionë paund, lidhet me atë që kompania e Stennett e përshkruan si “zbritje të palejueshme” për shërbime profesionale, përfshirë reklamat, kontabilitetin dhe sigurimet.
Në dokumente pretendohet gjithashtu se më shumë se 1.1 milionë paund të ardhura nga turneu “Phoenix World Tour” nuk janë raportuar. Turneu, i zhvilluar gjatë viteve 2019 dhe 2020, përfshinte shtatë koncerte në arena në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë një mbrëmje në “O2 Arena” në Londër.
Sipas pretendimeve të kompanisë, pagesat e komisioneve nuk përfshinin të gjitha të ardhurat që Rita kishte marrë ose që ishin marrë në emër të saj gjatë kësaj periudhe.


