Pas ditëve të vështira që ka kaluar për shkak të publikimit të videove intime, Eli Fara duket se ka vendosur të mos lejojë që kjo ngjarje ta largojë nga ajo që ka bërë gjithë jetën: muzika.
Këngëtarja e njohur ka bërë një lëvizje të papritur, duke konfirmuar rikthimin e shpejtë para publikut, vetëm pak ditë pas situatës që e vendosi në qendër të vëmendjes mediatike.
Përmes një postimi në Instagram, Eli ka ndarë posterin e një mbrëmjeje muzikore të titulluar “Nata e Legjendave”, që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë, ku do të ngjitet në skenë përkrah Luiz Ejllit dhe Altin Shirës.
Ky njoftim vjen në një moment delikat për artisten, e cila së fundmi u përball me cenimin e privatësisë pas shpërndarjes së materialeve intime ku shfaqej me kompozitorin Adrian Hila.
Në reagimin e saj publik, Fara kishte shprehur dhimbjen për atë që kishte ndodhur, duke theksuar se nuk kishte asnjë arsye për t’u turpëruar dhe se përgjegjësia u takonte atyre që cenojnë privatësinë e të tjerëve. Ajo ka bërë denoncim në polici, ndërsa çështjen ia ka lënë drejtësisë.
Pavarësisht gjithë kësaj, këngëtarja nuk ka zgjedhur të tërhiqet nga jeta artistike.


