Një turist nga Kazakistani ka ndarë përshtypjet e tij për Prishtinën, duke thënë se kryeqyteti i Kosovës i ngjan shumë vendeve të Bashkimit Evropian për nga infrastruktura dhe markat ndërkombëtare.
Raiymbek, i cili është në një turne botëror, kishte planifikuar vetëm një ndalesë të shkurtër në Prishtinë për të blerë kufje të reja pasi i kishte humbur të tijat në një autobus në Shkup.
Por ajo që e priti në qytet e befasoi.
“Prishtina më duket shumë EU. Shumë EU,” thotë ai në videon e tij të postuar në Instagram, teksa filmon rrugët dhe qendrën tregtare Albi Mall.
“Ka kaq shumë marka ndërkombëtare. Nuk është si pjesa tjetër e Ballkanit, jo si Shqipëria, jo si Maqedonia e Veriut. Këtu e ndjen sikur po i afrohesh BE-së.”
Në qendrën tregtare ai tregon praninë e zinxhirëve të njohur perëndimorë si H&M, Burger King, KFC dhe madje IMAX, duke e kontrastuar atmosferën me atë që ka parë në vendet fqinje.




