Këngëtarja e njohur kolumbiane Shakira ka treguar se aktualisht nuk është në kërkim të një lidhjeje të re romantike, pasi po i përkushtohet plotësisht fëmijëve dhe karrierës së saj.
Artistja e hitit “Whenever, Wherever” është beqare që nga ndarja me ish-futbollistin Gerard Piqué në vitin 2022. Ish-çifti kanë dy djem, Milan dhe Sasha.
“Nuk ka romancë për mua tani për tani. Nuk ka hapësirë dhe as kohë në jetën time për këtë. Jam shumë e angazhuar. Fëmijët e mi janë prioriteti im. Dhe karriera ime. Çuditërisht, jam e dashuruar me karrierën time më shumë se kurrë më parë. Po e shijoj gjithashtu kohën time vetëm”, ka thënë ajo.
Këngëtarja 49-vjeçare foli edhe për periudhën më të vështirë të jetës së saj, duke kujtuar ndarjen nga Piqué dhe problemet shëndetësore të babait të saj, William, shkruan Female First.
“Po jetoja momentin më të errët, kur pashë shpërbërjen e familjes sime. Familja që kisha ëndërruar ta ruaja përgjithmonë,” tha ajo.
Megjithatë, Shakira beson se dhimbja e ka bërë më të fortë dhe më të mençur.
