Në një reagim emocional të publikuar së fundmi, Gjylymser Kasapi, nëna e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, ka falënderuar publikisht të gjithë ata që qëndruan pranë familjes në këto momente të rënda.
Ajo shpreh mirënjohje, për familjen e saj, si dhe për shoqërinë në përgjithësi, kolegë e artistë nga të gjitha trevat shqiptare, për mbështetjen dhe ndarjen e dhimbjes pas largimit nga jeta të Shpatit.
Në mënyrë të veçantë, nëna e këngëtarit ndalet te Selvije Jao, bashkëshortja e Shpatit, të cilën e përshkruan si shpirtin e shtëpisë dhe si një grua të dashur për butësinë, çiltërsinë dhe moralin e saj. Ajo thekson përkushtimin maksimal të Selvijes jo vetëm si bashkëshorte, por edhe si nënë e shkëlqyeshme e nipit të vogël, Roelit.
