Sunny Hill Festival ka zyrtarizuar sot emrin që do ta udhëheqë skenën më të madhe të festivalit në këtë edicion. Fituesja e çmimeve të panumërta, ikona e muzikës pop dhe një nga artistet më të shitura të të gjitha kohërave, Katy Perry, është konfirmuar zyrtarisht si headliner i Sunny Hill Festival 2026.
Lajmi i bërë publik përmes një video–thirrje ekskluzive në faqen zyrtare të festivalit, shënon një moment kthese jo vetëm për industrinë e argëtimit në Evropën Juglindore, por edhe për pozicionimin ndërkombëtar të Kosovës si një destinacion i fuqishëm i muzikës dhe turizmit kulturor.
Kush është Katy Perry? Katy Perry nuk është thjesht një emër i njohur – ajo është një fenomen global që ka formësuar kulturën pop të dy dekadave të fundit. Me një ushtri prej mbi 200 milionë ndjekësish në profilet e saj sociale, ndikimi i saj shtrihet në çdo anë të botës.
Katy Perry është anëtare elitare e “Billions Club” në Spotify, me hite të panumërta globale si “Roar”, “Firework”, “Dark Horse” dhe “Teenage Dream”. Katy Perry është ndër artistet më të suksesshme të shekullit, me shumë hite që kanë me miliarda dëgjime dhe një audiencë që shtrihet në të gjitha kontinentet. Prania e saj në Prishtinë sjell një audiencë dhe vëmendje mediatike që matet me përmasa globale.
Ndikimi në imazhin dhe ekonominë e Kosovës
Ardhja e Katy Perry në Sunny Hill Festival është një tjetër dëshmi e rritjes së festivalit si një platformë që sjell në Kosovë emrat më të mëdhenj të industrisë globale të muzikës dhe e vendos vendin në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Evropën Juglindore. Për çdo edicion, ndikimi direkt i Sunny Hill Festival në ekonominë vendore vlerësohet që arrin mbi 20 milionë euro, ndërsa mbulueshmëria globale që sjell festivali për Kosovën, vlerësohet në shifra që tejkalojnë qindra miliona dollarë në vit.
