Mbi katër vjet pas nisjes së sulmeve në shkallë të gjerë nga Rusia, Ukraina përballet me një tjetër debat të fortë të brendshëm: kur dhe si duhet të zhvillohen zgjedhjet presidenciale?
Thirrja për zgjedhje në kohë lufte është rikthyer në qendër të vëmendjes pas deklaratave të ish-ministrit ukrainas të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili ka kritikuar ashpër qeverinë dhe ka kërkuar një proces zgjedhor.
Por organizimi i zgjedhjeve në kushtet aktuale do të ishte një proces jashtëzakonisht kompleks, me probleme ligjore, sigurie dhe praktike.
“Rreziqet janë të jashtëzakonshme. Para së gjithash, ekziston rreziku i ndërhyrjes ruse. Rusia mund të luajë një lojë shumë të rrezikshme për të minuar të gjithë procesin dhe për të krijuar një situatë ku ukrainasit të përplasen me njëri-tjetrin, në vend që të jenë të fokusuar dhe të bashkuar përballë armikut të jashtëm“”, u shpreh Orysia Lutsevych, nga Chatham House.
Ukraina ndodhet ende nën ligjin ushtarak, i vendosur pas nisjes së sulmeve ruse në shkurt të vitit 2022. Në këto kushte, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje, por vetëm në kushte të sigurta.
Ai ka argumentuar se përpara votimit duhet të ketë të paktën një armëpushim që të garantohet siguria e qytetarëve dhe e qendrave të votimit.
“Po, sigurisht. Ne jemi të hapur për zgjedhje. Por ato duhet të zhvillohen në kushte të sigurta. Gjatë luftës nuk mund të kemi zgjedhje, por mund të krijojmë kushtet e sigurisë. Na duhet një armëpushim në fushën e betejës, në ajër dhe në det, në mënyrë që njerëzit të mund të zhvillojnë zgjedhje demokratike, të hapura dhe ligjore“, u shpreh Zelensky.
Por edhe në rast të një armëpushimi, rruga drejt kutive të votimit nuk do të ishte e menjëhershme.
Ekspertët thonë se Ukraina duhet të përgatisë një kuadër të ri ligjor për zgjedhjet e para pas luftës. Duhet të përcaktohen rregullat, afatet dhe procedurat, ndërsa një pjesë e legjislacionit duhet të ndërtohet praktikisht nga e para.
“Le të imagjinojmë se kemi një armëpushim dhe parlamenti heq ligjin ushtarak. Që nga ai moment, Ukraina mund të fillojë të punojë mbi paketën ligjore. Duhet të përditësohen regjistrat e votuesve, sepse shumë njerëz janë zhvendosur dhe nuk jetojnë më në adresat ku janë të regjistruar“, tha Lutsevych.
Problemi nuk është vetëm ligjor.
Mbi katër milionë ukrainas janë zhvendosur brenda vendit, ndërsa miliona të tjerë ndodhen jashtë Ukrainës.
Sipas të dhënave të Bashkimit Evropian, më shumë se 4.4 milionë ukrainas kishin statusin e mbrojtjes së përkohshme në vendet e BE-së në fund të qershorit.
Kjo do të thotë se Ukraina duhet të krijojë një infrastrukturë të gjerë votimi jashtë territorit të saj, me qindra qendra votimi në Evropë.
“Dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishme, janë ukrainasit që jetojnë jashtë vendit. Janë më shumë se 4.5 milionë. Si do të votojnë ata? Cila do të jetë infrastruktura për votimin ndërkombëtar, në mënyrë që ata të jenë pjesë e procesit zgjedhor? Mund të duhen nga gjashtë muaj deri në një vit për të vendosur gjithçka në funksion“, u shpreh Lutsevych.
Një tjetër grup me vështirësi të mëdha janë rreth një milion ukrainas që shërbejnë në ushtri dhe në strukturat e mbrojtjes.
Organizimi i një procesi të lirë dhe të sigurt për ta, veçanërisht për ata që ndodhen pranë vijës së frontit, do të ishte një sfidë e jashtëzakonshme.
Ndërkohë, rreth 19 për qind e territorit të Ukrainës ndodhet nën kontrollin rus. Në këto zona jetojnë miliona ukrainas që nuk do të mund të marrin pjesë normalisht në një proces zgjedhor të organizuar nga Kievi.



