Një raketë e milicëve Huthigodet zemrën e terminalit të pasagjerëve në aeroportin “King Khalid”. Sulmi i fundit ndaj aeroportit të Riadit është më i rëndi kundër Arabisë Saudite që nga fillimi i luftës me Iranin. Dëshmitarët flasin për panik, kaos dhe shumë viktima. Pamjet e filmuara me telefona celularë dhe të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë makthin që, me sa duket, kanë përjetuar udhëtarët në aeroportin e kryeqytetit saudit, Riad. Njerëz që vrapojnë nëpër një sallë nisjesh të shkatërruar, pluhur i dendur që mbulon ajrin si mjegull dhe njolla gjaku në dysheme.

Pas sulmit të milicisë Huthi kundër Arabisë Saudite ka pasur reagime të shumta. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, u shpreh se ishte “thellësisht i tronditur” nga sulmi. “Sulmet kundër civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Këto sulme duhet të ndalen menjëherë,” deklaroi Guterres. Ai theksoi se mbrojtja e civilëve dhe e objekteve civile është një detyrim themelor sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe bëri thirrje për një ndalim të menjëhershëm të akteve të tilla të dhunës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e dënoi sulmin vdekjeprurës ndaj aeroportit të kryeqytetit saudit, Riadit, duke e cilësuar atë si një “përshkallëzim të rrezikshëm”. Ajo i bëri thirrje milicisë Huthi, e mbështetur nga Irani, që t’i japë fund sulmeve ndaj objektivave civile. “Këto sulme të përfaqësuesve të Iranit po e shtyjnë rajonin drejt një spiraleje dhune”, deklaroi von der Leyen të dielën. Sipas saj, sulme të tilla destabilizojnë nyje të rëndësishme të transportit dhe energjisë dhe shkaktojnë pasoja që ndihen në mbarë botën. “Këto sulme vrasëse kundër civilëve duhet të ndalen menjëherë,” theksoi ajo, duke shtuar se Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet me Arabinë Saudite.