Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare diplomati dhe autori gjerman, Werner Daum. Lajmi është konfirmuar nga autoritetet, ndërsa mësohet se ai ka ndërruar në dhomën e një hoteli në Kavajë për shkaqe natyrale.
Werner Daum lindi në vitin 1943 dhe shërbeu për dekada në shërbimin diplomatik gjerman. Në vitin 1987, ai u ngarkua me misionin për të hapur ambasadën gjermane në Tiranë, një hap vendimtar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Emri i tij lidhet ngushtë me një moment historik në korrik të vitit 1990, kur ambasada gjermane, nën drejtimin e tij, hapi dyert për 3199 qytetarë shqiptarë që kërkonin të largoheshin nga vendi. Ata qëndruan në ambientet e ambasadës për disa ditë, deri në sigurimin e largimit të tyre drejt Perëndimit.
Pas shërbimit në Shqipëri, nga viti 1992 deri në 1995, Daum ishte kryetar i Departamentit të të Drejtave të Njeriut në përfaqësinë gjermane në Gjenevë, duke përfaqësuar Gjermaninë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së. Nga viti 1996 deri më 2000, ai shërbeu si ambasador në Sudan, gjatë një periudhe të tensionuar politike dhe humanitare.