Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të kthehen në tavolinën e negociatave në kohën kur tensionet midis dy palëve janë të larta, ndërsa shkalla e besimit është e ulët.
Bisedimet ishin planifikuar për datën 10 korrik në Oslo, sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, që tani tregojnë se ato janë shtyrë, dhe mund të nisin javën tjetër.
Pavarësisht se kur do të nisin, bisedimet shënojnë mundësinë për rinisje të diplomacisë për çështje bërthamore në mes të armiqve për kohë të gjatë, dhe mund të mbahen vetëm pak javë pas sulmeve amerikane dhe izraelite kundër qendrave bërthamore iraniane.
Izraeli i ka nisur sulmet kundër Iranit më 13 qershor, vetëm dy ditë para rundit të gjashtë të bisedimeve që ishte planifikuar të zhvillohej mes Teheranit dhe Uashingtonit për çështjet bërthamore.
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka autorizuar ushtrinë që të bashkohet në sulmet e Izraelit në qendrat bërthamore iraniane.
Pas përfundimit të sulmeve, Uashingtoni e ka ndërmjetësuar një armëpushim për ndalje të armiqësive.
Në një artikull të ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, të botuar më 8 korrik në gazetën Financial Times, ai ka ngritur dilema se si mund të besojë Teherani në ndonjë “angazhim në të ardhmen”, pasi ka dëshmi që “vullneti ynë i mirë është goditur me sulme në dy qendra bërthamore”.
Ndonëse Trump e ka përmendur arritjen e një “marrëveshjeje të përhershme” me Iranin, ai nuk ka ofruar hollësi se çfarë mund të përfshijë ajo marrëveshje.
Veprimet e tij të fundit sugjerojnë ndryshim qëndrimi nga menaxhimi i krizave për periudhë afatshkurtër, në strategji afatgjatë – me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje që adreson programin bërthamor të Iranit, ndikimin rajonal dhe arkitekturën e sigurisë në Lindje të Mesme.
Irani ka insistuar – edhe pas konfliktit 12-ditor me Izraelin – se vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj diplomacisë, ndonëse ka kërkuar garanci që secila marrëveshje do t’ia pamundësojë Izraelit nisjen e sulmeve.
Prej zbatimit të armëpushimit më 24 qershor, Trump ka nisur sinjale të përziera nëse arritja e një pakti me Iranin është e nevojshme, duke marrë parasysh gjendjen e programit të tij bërthamor.