Gaza po përjeton një “katastrofë” shëndetësore që do të zgjasë për “brezat që do të vijnë” ka paralajmëruar drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai ka thënë në programin Today të BBC Radio 4 se nevojitet një rritje masive e ndihmës për të filluar adresimin e nevojave komplekse të popullsisë së Rripit.
Izraeli ka lejuar më shumë furnizime mjekësore dhe ndihma të tjera të kalojnë në Gazë që kur një armëpushim me Hamasin hyri në fuqi më 10 tetor, por Tedros ka shtuar se nivelet janë nën ato të nevojshme për të rindërtuar sistemin e kujdesit shëndetësor të territorit.
Deklarata e tij vjen ndërsa SHBA-ja përpiqet të ruajë armëpushimin të cilin e ka ndërmjetësuar, pas një shpërthimi dhune në fundjavë.
Marrëveshja është përshkruar nga Shtëpia e Bardhë si faza e parë e një plani paqeje prej 20 pikash që përfshin një rritje të sasisë së ndihmës që hyn në Gazë dhe furnizime të shpërndara “pa ndërhyrje” nga të dyja palët.
