Aeroplanët ushtarakë rusë për një kohë të shkurtër e shkelën hapësirën ajrore të Lituanisë të enjten në mbrëmje, tha presidenti i vendit, duke e dënuar atë që e quajti shkelje flagrante të integritetit territorial të shtetit që është anëtar i NATO-s dhe BE-së.
Ministria e Jashtme e Lituanisë planifikon që të thërrasë në takim përfaqësues të Ambasadës së Rusisë në Vilnius për të protestuar për këtë shkelje, tha në rrjetin X presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Moska.
Vendet baltike tashmë kanë qenë në gjendje të lartë vigjilence për shkak të agresionit të Rusisë fqinje në Ukrainë. Në javët e fundit, një varg i incidenteve misterioze me dronë dhe i shkeljeve të hapësirës ajrore nga aeroplanët luftarakë rusë e kanë shtuar shqetësimin se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të jetë duke e testuar vendosmërinë e mbrojtjes së NATO-s.
