Janë publikuar fotot e dy autorëve të sulmit terrorist në Sidney të Australisë, ku 12 persona u vranë dhe 29 të tjerë plagosur, mes tyre edhe një prej sulmuesve. Fotot e dy autorëve të masakrës janë kapur gjatë sulmit me armë zjarri.
Burri me të zeza është identifikuar si 24-vjeçari Naveed Akram dhe burri tjetër me pantallona të bardha është autori tjetër i krimit, për të cilin po kërkohen prova me qëllim identifikimin e tij.
Ndërkohë policia ka bastisur shtëpinë e njërit prej tyre dhe deri tani janë zbuluar armë, eksploziv, dokumente dhe të dhëna me interes hetimi.
Gjithashtu autoritetet po verifikojnë për një bashkëpunëtor të tretë në krim. Një nga autorët u vra dhe tjetri, 24-vjeçari, u plagos rëndë, transmeton oranews.
Mes viktimave edhe një rabin e një fëmijë 10 vjeç. Shënjestër e sulmit ishte komuniteti hebre në zonën e plazhit Bondi në Sidney, ku po kremtohej festa e Hanukkah.
Sulmi i së dielës është incidenti më i rëndë i këtij lloji në vend që nga viti 1996, kur një person i armatosur vrau 35 njerëz në një vend turistik në shtetin jugor të Tasmanisë.
