Në New York, Burim “Benny” Havolli, 41 vjeç, supervizor i një ndërtese 8 katëshe me origjinë shqiptare, humbi jetën pas një “përleshjeje” me një hajdut të dyshuar paketash.
Sipas televizionit të qytetit News12, ngjarja ndodhi më 12 nëntor rreth orës 8 të mëngjezit në 1199 Ocean Avenue, pranë rrugës Glenwood Road.
Sipas policisë së NYPD-së dhe dëshmitarëve, Havolli kapi në flagrancë një burrë 30 vjeç që po vidhte paketa në hollin e ndërtesës. Debati u kthye në përleshje fizike. Hajduti e goditi disa herë në kokë me celularin e tij. Ndërkohë, që Havolli e mbajti të ndaluar derisa mbërriti policia dhe e arrestoi personin e dyshuar.
Gazetari i kronikës i News12 nga vend/ngjarja, tha se fillimisht, Havolli nuk mori ndihmë mjekësore, duke u kthyer në apartamentin e tij në katin e dytë.
Atje filloi të vjellë, dhe u rrëzua pa ndjenja në prani të gruas së tij. U dërgua urgjentisht në spitalin më të afërt Kings County Hospital, por nuk mbijetoi plagëve të rënda në kokë.
“Nuk ka fjalë për të shpjeguar. Është trishtim i madh. La pas tre fëmijë të vegjël, 1 deri 4 vjeç. Nuk besoj se nuk është më,” tha kushëriri Petrit Havolli për mediat amerikane.
