Kroacia ka reaguar pas arrestimeve në Serbi të disa personave të dyshuar për përgatitjen e trazirave gjatë zgjedhjeve parlamentare, ndërsa u ka rekomanduar qytetarëve të saj t’i shtyjnë udhëtimet që nuk janë të domosdoshme drejt këtij vendi, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka deklaruar se nuk ka marrë njoftim zyrtar nga autoritetet serbe për arrestimet. Sipas saj, akuzat e fundit ndaj Kroacisë janë pjesë e një vargu pretendimesh të pabazuara, të cilat lidhen me zhvillimet e brendshme politike në Serbi.
Arrestimet u kryen në Novi Sad, Vrnjaçka Banjë dhe Beograd. Sipas raportimeve të mediave serbe, të dyshuarit akuzohen se po përgatitnin trazira të dhunshme gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të planifikuara për 25 tetor.
Mediat serbe kanë pretenduar se dy prej të arrestuarve kanë pasaporta kroate. Megjithatë, deri më tani nuk janë bërë publike prova të pavarura që do të vërtetonin pretendimet për përfshirjen e tyre në planet për shkaktimin e dhunës.
Ministria kroate ka theksuar se as ambasada e saj në Beograd nuk ka marrë njoftim zyrtar për rastin, duke shprehur shqetësim për akuzat e përsëritura ndaj Zagrebit, shkruan index.hr.

