Në kryeqytetin e Serbisë, sot po mbahet parada ushtarake nën sloganin “Fuqia e Unitetit”, në një kohë kur qytete të shumta të vendit janë përfshirë nga protestat studentore.
Një ditë para paradës, tanket dhe ushtarët dolën në rrugë, ndërsa një pjesë e lagjes Beogradi i Ri është mbyllur për qarkullim që nga 9 shtatori. Policia ka vendosur kordon për të mos lejuar pjesëmarrësit e tubimit studentor të afrohen në zonën ku po zhvillohet parada.
Radio Evropa e Lirë raporton se përveç anëtarëve të policisë së trazirave, ka edhe pjesëtarë të Xhandarmërisë të pajisur për shpërndarjen e demonstratave. Megjithatë, policia është e pozicionuar në disa unaza, duke detyruar studentët të kërkojnë rrugë alternative për të arritur në paradë.
