Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm më 21 gusht, pasi Izraeli njoftoi për hapat e parë të operacionit për marrjen nën kontroll të Qytetit të Gazës.
“Është thelbësore të arrihet një armëpushim i menjëhershëm në Gazë”, tha Guterres, duke theksuar se kjo ishte e nevojshme “për të shmangur vdekjet dhe shkatërrimin që një operacion ushtarak kundër Qytetit të Gazës pashmangshëm do të shkaktonte”.
Izraeli ka thirrur dhjetëra mijëra rezervistë dhe po vazhdon me planin e tij për të marrë nën kontroll qendrën më të madhe urbane në Gazë pavarësisht kritikave ndërkombëtare se një operacion i tillë me gjasë do të shkaktojë zhvendosjen e më shumë palestinezëve.
Izraeli aktualisht ka nën kontroll rreth 75 për qind të Rripit të Gazës.
Një ditë më parë ushtria izraelite njoftoi për hapat e parë të operacionit për marrjen e Qytetit të Gazës, duke thirrur mijëra rezervistë, teksa Qeveria po e shqyrton një propozim të ri për armëpushim për të ndalur luftën pothuajse dyvjeçare kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, njofton rel.
“Kemi nisur operacionet fillestare dhe fazat e para të sulmit ndaj Qytetit të Gazës dhe ushtria veçse ka marrë zona në periferi të qytetit”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Effie Defrin më 20 gusht.