Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi të mërkurën do të kërkojë sanksione dhe pezullim të pjesshëm të tregtisë më Izraelit për shkak të luftës në Rripin e Gazës.
Bashkimi Evropian, i cila ka 27 vende anëtare, është thellësisht i ndarë mbi qasjen ndaj Izraelit dhe palestinezëve, dhe nuk është e qartë nëse do të gjendet një shumicë e nevojshme për t’i mbështetur sanksionet dhe masat tregtare kundër Izraelit.
“Ajo që po ndodh në Gazë ka tronditur ndërgjegjen e botës”, tha von der Leyen në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg.
Von der Leyen shtoi se komisioni “do të krijojë muajin e ardhshëm një grup donatorësh për palestinezët” një pjesë e të cilit do të përqendrohet në rindërtimin e ardhshëm të Gazës.
“Uria e shkaktuar nga dora e njeriut nuk mund të jetë kurrë armë lufte. Për hir të fëmijëve, për hir të njerëzimit. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ajo, duke marrë duartrokitje në Parlament.
Fjalimi i saj erdhi një ditë pasi ushtria izraelite i paralajmëroi banorët e Qytetit të Gazës të evakuohen, para se ta nisë ofensivën e gjerë për ta marrë nën kontroll qytetin, i cili thuhet të jetë bastioni i fundit i Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
