Ka shkuar në dy numri i personave që kanë vdekur pas përmbytjeve të rënda të shkaktuara nga ajo që guvernatori i Stambollit e quajti reshjet më të dendura të shiut në 84 vjet, shkruan BBC.
Një djalë 14-vjeçar vdiq pasi u godit nga rryma elektrike kur shkeli në një pellg, ndërsa një burrë 34-vjeçar, duke u përpjekur të kalonte rrugën, rrëshqiti dhe ra, duke goditur kokën në trotuar, transmeton Sinjali.
Gati 600 persona janë shpëtuar pasi kanë mbetur të bllokuar, tha zëvendëskryetari i bashkisë së qytetit, ndërsa makinat kanë mbetur të zhytura në ujë në disa lagje.
Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, i ka thënë banorëve të shmangin daljen nga shtëpitë e tyre përveç nëse është absolutisht e nevojshme.
Guvernatori i qytetit po heton vdekjen e djalit adoleshent i cili u godit nga rryma elektrike.
Disa zona të Stambollit kanë parë reshje shiu ekuivalente me një të shtatën e mesatares vjetore, sipas ministrit të brendshëm. Shkollat u urdhëruan të mbyllen të enjten dhe të premten, pasi pritet që reshjet e shiut të vazhdojnë.
Nuri Aslan, nënkryetari i bashkisë së qytetit, tha se 595 persona ishin evakuuar në zona të sigurta pasi mbetën të bllokuar, ndërsa më shumë se 8,000 punëtorë po i përgjigjen përmbytjeve.




